Dukagjini

Dukagjini
Pak nga historia e kesaj Treve.

martedì 3 agosto 2010

MAR' LULA,BAJRAKTARI I SHALES


                                                                  
Historia e panjohur e familjes së heroit të famshëm Mehmet Shependi, Dëshmia e mbesës së tij, 81-vjeçares Syke Sadiku

Mark Sadiku Prijsi i Djelmnisë së Shalës


--------------------------------------------------------------------------------

Dashnor Kaloçi

Pas vrasjes së babës sonë, Mark Sadikut, aty nga fillimi i vitit 1946, motra jeme, Prena, dy vëllaznit, Sadiku me Gjeton, nipi i tyne, Kol Ndou së bashku dhe me kushëririn, Pjetër Mehmetin, (i biri i Mehmet Shpendit) dolën në arrati, pasi u kërkojshin për t'u arrestu prej Sigurimit. Gjatë kohës që ata nejën nëpër male, Pjetri u vra në përpjekje me forcat partizane të Ndjekjes, pasi u pat pre në besë nga një njeri prej Curraj të Epërm. Pas kësaj Sadiku me Gjeton e Kolën u dorzuen pas faljes së dhanë nga komunistët dhe u burgosën të tre. Pas asaj dite të gjitha gratë e familjes, duke filluar nga grueja e Markut, Mirja, (nana jonë) e bija, Prena dhe nuset, Drage e Age, u internuen në kampet e Beratit, Tepelenës dhe Elbasanit".

Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për "Gazetën", është 81-vjeçarja Syke Sadiku (Vojvoda) e bija e Mark Sadikut, Kryetarit të Djelmnisë së Shalës, të cilët rrjedhin prej familjes së heroit të famshëm, Mehmet Shependit, i cili pati rënë në luftë kundër serbo-malazezëve. Pinjollja e këtij fisi të famshëm, Syke Sadiku, rrëfen të gjithë historinë e dhimbëshme të familjes së saj, ku një pjesë e tyre u detyruan të arratiseshin nga Shqipëria që në vitin 1948 dhe të tjerët që mbetën këtu, u persekutuan në mënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Po kush ishte Mark Sadiku, cila ishte origjina dhe e kaluara e asaj familje dhe si u masakruan ata nga komunistët?

Marku, nipi i Mehmet Shpendit
Mark Sadiku u lind në vitin 1889 në fshatin Pecaj të Shoshit, prej nga ishte dhe origjina e asaj familje, dhe babai i tij, Sadik Mark Shendi, ishte i vëllai i Mehmet Shpendit, heroit të famshëm dhe prijsit të malësorve të Veriut, i cili u vra duke luftuar me armë në dorë kundër forcave serbo-malazeze. Që kur ishte gjallë Mehmet Shpendi, shtëpia e tij në Pecaj të Shalës, formoi për herë të parë Djelmninë e Shalës, e cila kishte për qëllim që të ruante zakonet e maleve, të ndante pleqnitë në kuvendet e burrave dhe të udhëhiqte malsorët në luftrat kundër të gjithë armiqëve. Formimi i Djelmnisë së Shalës, iu kërkua, Shpend Sadrisë, (babait të Mehmet Shpendit) prej 90 malësorëve të asaj krahine, kur ai ishte në moshën 84 vjeçare. Pasi u konsultua me djalin e tij, Mehmet Shpendin, Shpend Sadria doli të nesërmen në kuvendin e burrave ku në prani të Dom Pjetër dedës, u lidh besa mes gjithë atyre burrave që ishin mbledhur në atë kuvend. Që nga ajo ditë që u krijua Djelmnia e Shalës, ajo u kryesua prej shtëpisë së Mehmet Shpendit dhe pas vrasjes së tij, kryesinë e saj e trashëgoi i nipi, Mark Sadiku i Shalës. Marku ishte një njohës i thellë i kanunit të maleve dhe ai thërritej e dërgohej shpesh ndër kuvendet e burrave, fiseve dhe pleqnive të bajrakëve, për pajtime gjaqesh, ndarje kufijsh e ngatërresash etj. Kështu që nga ajo kohë që Mark Sadiku u vu në krye të Djelmnisë së Shalës, e gjatë gjithë periudhës së Monarkisë, ai ishte një nga burrat më të respektuar të asaj treve. Marku u martua me Mire Mushakën nga fisi Gjonpepaj i Nikajve, e cila ishte një grua burrërore që rridhte nga dera e Hajdar Mehmetit, e njohur në të gjithë atë krahinë për shtëpi bujare dhe urti. Nga ajo martesë, atyre u lindën katër fëmijë: Sadiku, Gjeta, Syka dhe Prena.

Internimi i Markut në Itali
Ashtu si shumë nacionalistë të tjerë edhe Mark Sadiku e kundërshtoi hapur pushtimin fashist të Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të arrestohej e të internohej në ishujt e Italisë. Lidhur me këtë, e bija e tij, 81-vjeçarja Syka Sadiku (Vojvoda) dëshmon: "Në prillin e vitit 1939, pak ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, babanë tonë Mark Sadikun, që njihej e respektohej si Kryetar i Djelmnisë së Shalës, e lajmëruan që të shkonte në Tiranë ku autoritetet e larta qeveritare do të bënin një mbledhje me parinë dhe bajraktarët e Veriut. Siç u tha atëhere, qëllimi i organizimit të asaj mbledhje nga ana e autoriteteve shtetërore të Tiranës, do të bëhej për të zgjedhur disa burra nga paria e bajraktarët e Veriut, për të shkuar në Romë ku do t'i çohej Kurora e Skënderbeut, Mbretit Viktor Emanueli. Por për qëllimin e vërtetë të atij takimi, si babës ashtu dhe burrave të tjerë të cilët ishin thirrur në atë mbledhje, nuk u kishin kallxuar gja, e të vërtetën rreth asaj ne e mësuam disa ditë më vonë. Pas marrjes së atij njoftimi, Marku u vesh me kostum kombëtar dhe zbriti në Shkodër ku ishte lënë vënd-takimi me burrat e tjerë të parisë dhe bajraqeve të malësisë që do të shkonin për në Tiranë. Por sapo baba shkoi në afërsi të Prefekturës, ai u arrestua nga italianët dhe pas pak ditësh së bashku me shumë nacionalistë të tjerë që kishin kundërshtuar pushtimin fashit të vëndit, i nisën për në burgun e Tiranës dhe prej aty i internuen në ishullin e Ventotenes në Itali. Aty në atë burg ku ishin të internuem dhe shumë shqiptarë të tjerë, baba qëndroi deri në vitin 1943 kur ra Italia. Rrobat e kostumit kombëtar që baba i veshi atë ditë që u ba gati me ra në Tiranë, ai nuk i hoqi gjatë gjithë kohës që nejti i internuem në ishujt e Italisë. Kur shokët e tij i thojshin: "Po pse more Mark nuk i heq këto tesha e të veshësh të tjera kështu si na?", baba i përgjigjegj atyne duke u thanë: "Këto janë rroba dasmet dhe i kam vesh që atë ditë që më pat çue fjalë Mreti i Italisë dhe nuk munem me i heq pa lejen e tij". Baba mundi me u lirue prej internimit vetëm kur ra Italia, në fillimin e vjeshtës së vitit 1943 dhe në atë kohë ai erdhi në Shqipni së bashku me shokët e tij që kishte qenë i internue", kujton 81-vjeçarja Syke Sadiku (Vojvoda), lidhur me të jatin e saj, Mark Sadikun e Shalës, i cili u arrestua nga italianët dhe vuajti për më shumë se katër vjet në burgjet e Italisë, për arsye se kishte kundërshtuar hapur pushtimin e Shqipërisë në prillin e 1939.

Marku në Plavë
Pas lirimit nga internimi dhe ardhjes në Shqipëri, Mark Sadiku i Shalës shkoi në vëndlindjen e tij në fshatin Pecaj të Dukagjinit, ku e pritën me mjaft përzemërsi, jo vetëm familja e të afërmit e tij, por edhe gjithë burrat e asaj krahine dhe paria e Shalës. Lidhur me këtë , e bija e tij Sykja, dëshmon: "Atë kohë që erdhi baba në shtëpi, nënprefekti i Plavës e i Gucisë, Shem Seferi, u qiti kushtrim të gjithë burrave e fiseve të Malsisë së Madhe, Dukagjinit e Malsisë së Gjakovës, që të mblidheshin në një kuvend të madh e për të rrokur armët në mbrojtje të tokave shqiptare. Nga ai za që u qiti nënprefkti, ranë në Plavë e Guci ma se katërdhet e dy bajraktarë, me ma shumë se 10 mijë burra të armatosun. Në atë kuvendin që u mbajt në Plavë, e morën fjalën përfaqësuesit më në zë të bajrakëve të parë të Veriut, siç ishin: Dedë Shabani për Malësinë e Madhe, Shem Seferi për Plavën e Gucinë, Dem Ali Pozhari për Malësinë e Gjakovës e rrethet e Pejës dhe Mark Sadiku për Dukagjinin. Gjatë atij kuvendi, Marku, bani propozimin që u quejt ma me vënd, duke thënë se prej asaj dite duhej dhanë besa e burrit prej të gjithë atyre personave dhe fiseve të cilët kishin ngatërresa të vjetra, ankime apo gjaqe pa marrë, në mënyrë që t'i ndërprisnin ato. Sepse prej asaj dite Malësisë dhe gjithë Shqipnisë i kërcënohej një anmik i madh e i përbashkët që ishin serbo-malazezët, të cilët nën maskën e komunizmit kërkonin të siguronin rishtaz tokat shqiptare të shkeluna padrejtësisht gjatë Luftës së Parë Botërore. Baba tha aty në atë kuvend, se kufijtë etnikë nuk ishin të një fisi apo të një bajraku, por ato ishin të gjithë popullit mbarë pa dallim feje ideje dhe krahine. Pas kësaj, Mark Sadiku u kërkoi të gjithë atyre burrave që ishin mbledhe në atë kuvend, që të jepej besa aty në shesh të burrave, që në rast nevoje kur të paraqitej rreziku, të gjithë ata t'i përgjigjeshin kushtrimit të dhënë duke nxjerrë vullnetarë të armatosur për të shkuar në atë pjesë të kufirit që rrezikohej prej anmikut. Pas këtyre fjalëve të thana prej babës, aty u lidh besa e burrave prej të gjithë bajraqeve dhe që nga ajo ditë u vunë roje të armatosuna në pikat ma delikate të kufinit dhe ata u porositën që kurdoherë që të hetojshin lëvizjet e brigadave komuniste serbo-malazeze, të lajmërojshin menjëherë kryetarët e asaj beslidhje. Dhe ajo që ishte parashikue prej babës dhe prej të gjithë atyre burrave që muern pjesë në atë kuvend, nuk vonoi me u bë realitet. Kështu vetëm pas pak kohet në nëntor të vjetit 1944, brigadat komuniste serbo-malazeze mësynë kah toka jonë duke kalue kufinin etnik. Pas kësaj u dha kushtrimi prej Guciet dhe Mark Sadiku, jo vetëm si Kryetar i Djelmnisë së Shalës, por edhe si kryetar i forcave nacionaliste të Dukagjinit, mblodhi të gjithë pushkatarët e asaj krahine dhe menjëherë kaloi Qafën e Pejës e u bashkue me forcat e Prek Calit të Kelmendit e me ato të Xhem Sadrisë që erdhën nga Malsia e Gjakovës. Atë kohë pati ba dimën shumë i fortë dhe malet e Cecunit dhe të Nakutit që ishin të mbulueme me borë, lëshuen orteqe të mëdhenj të cilat zunë nën vete dhe i lanë të vorruem shumë luftëtarë të malsisë. Luftimet që u zhvilluen në Qafë të Previsës dhe e në Vasoviq, përfunduen me fitoren e luftëtarëve shqiptarë. Pas kësaj Mark Sadiku me gjithë luftëtarët që kishte me veti, u kthyen në vendin e vet", dëshmon 81-vjeçarja Syke Sadiku (Vojvovda) lidhur me luftrat që zhvilloi babai i saj, Mark Sadiku, në nëntorin e vitit 1944 kundër forcave serbo-malazeze.

Vrasja e Markut
Mbarimi i Luftës dhe ardhja e komunistëve në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, e gjeti Mark Sadikun dhe dy djemtë e tij, Sadikun e Gjeton, të arratisur ndër male së bashku me shumë burra të tjerë të Shalës e të Shoshit. Lidhur me këtë dhe vrasjen e Mark Sadikut, e bija e tij, Sykja dëshmon: "Menjëherë sapo mbaroi Lufta dhe brigadat komuniste të partizanëve hynë edhe në Shkodër, Marku së bashku me dy djemtë, (vëllezërit e mi) Sadikun e Gjeton, dolën nëpër male me qëllim që të ruheshin prej komunistave,të cilët po vritshin dhe po burgosshin shumë njerëz të pafaj. Baba e dinte se komunistat nuk do t'ia falnin atij dhe vëllaut tim, Sadikut, të cilët patën luftue me forcat e nacionaliste të Ballit Kombëtar, kundër brigadave komuniste serbo-malazeze. Ishte kjo arsyeja kryesore që ata qëndruen nëpër male deri në atë kohë që qeveria komuniste e Tiranës shpalli faljen e parë për të gjithë të arratisunit politik që nuk kishin ba krime. Duke hjek keq në jetën e malit dhe duke mos pas rrugë tjetër kalimi pasi kufini me Jugosllavinë ishte i myllun dhe ai jugor me Greqinë ishte nën kontrollin e komunistëve grekë të gjeneralit Markos, baba me dy vëlleznit e mi, Sadikun e Gjeton, vendosën me u dorzue. Mirpo pas dorzimit të tyne në Kodër të Shëngjergjit, komunistat nuk e majtën fjalën dhe i prenë ata në besë, duke i burgosun në burgun e Shkodrës ku ata i patën torturue randë. Ajo gja famtirësisht vazhdoi jo shumë kohë, për arsye se qeveria komuniste e Tiranës nxorri një falje tjetër dhe i liroi nga burgu babën dhe dy vëllezërit e mi, pasi ata sipas tyne nuk i kishin lye duart me gjak. Mirpo edhe pas lirimit, baba me me gjithë Sadikun e Gjeton ishin vazhdimisht nën ndjekjen e forcave të Sigurimit dhe të gjithë ata që e njihshin babën, thoshin se Mark Sadiku kishte për me ra përsëri në burg, pasi ai nuk rrite pa fol kundër komunizmit. Aty kah vjeti 1945, në malsitë e Shalës e Shoshit u patën ba do mbledhje të shpeshta ku thërritej i gjithë populli me detyrim dhe u bahej propagandë komuniste. Një nga këto mbledhje u ba edhe në Bregun e Lumit në Shalë, e në atë ditë baba kishte shkue për mik te Balë Mark Milani. Megjithse Bala iu lut Markut që të mos shkonte në atë mbledhje se diçka i kishte ndje zemna, prej sedrës, baba, nuk nejti dot pa shku. Atë ditë teksa ishte duke fillue mbledhja, hasmi i babës qiti tre herë në pushkë dhe e la atë të vdekun. Ndërsa Marku akoma nuk kishte dhaëë shpirt, Balë Mark Milani që mbeti i premun në besë, qiti në pushkë dhe e la të vdekun në vend vrasësin e babës", kujton, Syke Sadiku, lidhur me historinë e babës së saj, Mark Sadikut, Kryetarit të Djelmnisë së Shalës, i cili u vra nga hasmi i tij në vitin 1944.

Arratisja e familjes në Francë
Po si rrodhi fati i familjes së Mark Sadikut, pas vrasjes së tij në vitin 1945 dhe si u trajtuan ata nga regjimi komunist i Enver Hoxhës? Lidhur me këtë e bija e tij, Sykja, dëshmon: "Pas vrasjes së babës, aty nga fillimi i vitit 1946, motra jeme, Prena, dy vëllaznit, Sadiku me Gjeton, nipi i tyne, Kol Ndou së bashku dhe me kushëririn, Pjetër Mehmetin, (i biri i Mehmet Shpendit) dolën në arrati, pasi u kërkojshin për t'u arrestu prej Sigurimit. Gjatë kohës që ata të gjithë nejën nëpër male, Pjetri u vra në përpjekje me forcat partizane të Ndjekjes pasi u pat pre në besë nga një njeri prej Curraj të Epërm. Pas kësaj Sadiku me Gjeton e Kolën u dorzuen pas faljes së dhanë nga komunistët dhe u burgosën të tre. Pas asaj dite të gjitha gratë e familjes, duke filluar nga grueja e Markut, Mirija, (nana jonë) e bija, Prena dhe nuset, Drage e Age, u internuen në kampet e Beratit, Tepelenës dhe Elbasanit. Por duke përfitue nga një falje tjetër e komunistave, Marku, me Sadikun e Kolën dolën prej burgut dhe pas pak kohe ata ikën përsëri në arrati ndër male, pasi kërkoheshin për t'u arrestue prej Sigurimit. Kjo gjë pat ndodhë, kur u arrestue bashkëshorti im, Lekë Vojvoda, me gjithë bajraktarin e Shoshit. Bashkë me Sadikun, Gjetën dhe Kolën, ishin në mal dhe motra jeme, Prena, megjithë nusen e Gjetës, Agen. Në vitin 1948 kur Shqipëria u prish me Jugosllavinë, ata mujtën për me e kalue kufinin dhe dolën në Mal të Zi. Në këtë kohë nën shtëpi pati metë vetëm nana jonë, Mirja, me nusen e Sadikut, Dragen, e cila kishte dy vajza të vogla dhe ishte përsëri shtatëzanë. Kur ata dueln në Jugosllavi, dhe serbët e kuptuen se ishin nipat e Mehmet Shpendit, i cilli pat ken vra me shkje, i mbyllën nëpër burgje e kampe përqëndrimi duke i lëviz herë pas here sa në Guci, Pejë, Kotorr, Zetë, Hercegnovi, Vuçitern e deri në Beligrad. Aty nga vjeti 1956, kur ata e humbën shpresën për një ndryshim të situatës në Shqipni, kërkuen prej Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit për me dal në Prendim. Pas kësaj atyne iu dha e drejta dhe të gjithë shkuen në Francë ku jetuen të lirë për vite me rradhë", e përfundon rrëfimin e saj 81-vjeçarja Syke Sadiku, e bija e Mark Sadikut të Shalës, lidhur me historinë e dhimbshme të familjes së saj, ku një pjesë jetoi në Francë dhe pjesa tjetër që mbeti në Shqipëri u persekutua në mënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Dy vellezërit e Sykes, Gjeta me Markun që jetuan në Francë, vdiqën atje në dhe të huaj duke i lënë një amanet motrës, Prenës, që eshtrat e tyne t'i sillte një ditë për t'u prehur në vëndlindjen e tyre. Atë amanet, Prena Sadiku mbajti si gjënë më të shtrenjtë dhe e bëri realitet vetëm në 25 korrik të vitit 1999. Atë ditë të nxetë vere, kur më shumë se 1500 burra të ardhur nga 11 bajrakët e Veriut ishin mbledhur në fshatin Pecaj, një helikopter civil u ul në një livadh me dy arkivolë të vegjël ku ndodheshin eshtrat e Sadikut dhe Gjetos, dy djemve të Mark Sadikut të famshëm të Shalës, të cilëve në përkujtim të babait të tyre, mbarë malsia atë ditë iu rezervoi një varrim madhështor.

1 commento: