Molla e Shoshit
Kur t’bìe me fjet bilè at´her a mun’ m’nalin me bâ Kryq?
N’bjeshk’t e nalta t’mbushuna me ah e çetina, me kroje e burime , me burrni e faqe-bardhsi, me burrni e trimi leu me dt 01/XII/1899 aj’ qe komunistat e quejten rraksionar, âsht me kapë kryet në grushta kúr njeri e merr vesh se pse e quajten rraksionar, per faktin e vetem se ishte nji burrë plot me virtyte, qe kish’ dishirë me pasë aj’ vetë e bashk’fshatar’t e tij lirinë e t’menduemit, të fjales e të fesë.
E rriti shtatin plot me halle e travaje, per krevat kish do dushk ose do fier të bamun palë e per mbolje prâp fier të bamun palë e per jastek kish cumren e drunit, por faleminers Zotit e prindve të tij u kalit me te tâna virtytet mâ të nalta të nji burrit fetar trim e fisnik .
Giatë f’minisë së vet n’vend se me shkue në shkollë e me marre nji edukim intelektual e njezor si nji pjese e mire e klasës shoqnore të gjytetnueme e perendimore, per shkak tw kushteve t’kqja ekonomike të asò kòhe e të pamuncise se prinderve të tij me e shkollue e bâni shkollen tuj ruejt dhitë e edhat s’bashkut me bashk’fshatar’t e tij neper shkamijet e thepisuna e livadhet e Molles.
Me pak fjalë bâni univerzitetin e malevet ashtu si pjesa mâ e madhe e dukagjinasvet të vuejtun të asò kòhe.
S’bashkut me Ndue Kolen e me shum’ dukagjinas të tjerë, mueren pjesë në kryengritjen antizogiste nân udhhjekjen e (dom Larecit) Dom Loro Caka që e m’rriti kulmin e saj në nândor të vjetit 1926.
Në lulzim të rinisë perveç agonisë së jetës së v’shtirë që bâshin në vendlindje të vet ju shtue edhe demagogjia komuniste, per Te vuejtja mâ e madhe shpirtnore e mendore.
As nji vjet masì ka hì partia komuniste nuk kânë pritë me e shtie n’burg për faktin se bashkë me Ndue Kolen, Zef Markun, Zog Malen, Mhill Kolen e Ndue Biben kâne mbrojte t’tanë koçak’t mâ n’ zâ të Veriut neper shpellat e koniqet e Mollës e k’shtu drejt’ per drejt’ e kânë shfaqë haptaz dashtuninë e tyne për këtë sistem anti-njerzor, e me e thâne t’drejten e Zotit k’tò burra e kâne dâshtë komunizmin njaqë sa kish me dashtë njeri krypen n’sy .
Në burgun që ish në kodër Shnjergjit mâ perpara kisha e ipeshkvit, dmth vend i shèjt, uratet, meditimit e heshtjet ,tashmâ e shndrrueme prej faqezive komunista nw burgun mâ të madh të zonës së Dukagjinit, Katilat e Enverit ja bânen t’ tâna torturat mâ çnjerzore qi mujshin me ju bâ nji njerit. I thyen t’tânë dhâm’t e goj’s njâ per njâ, i futen voè të skuquna nân sqetulla, me bajonetë t’ pushk’s ja vizatën kâm’t si me kêne tuj vizatë mish thiut per me e krypë e me e çite me e thâ n’tym per dimen.
E mas fundit t’pâ ftyr’t’ per me i kunorzue turturat e pamshirshme në varr’t e vizatuna me bajonetë pushket i futen hekur të skuqun, pooooooooor i SHOSHNJANI se kâ pasë per fare as per hise me u dorzue, por me dalë faqe bardhë ku do qi kâ kêne, faqe bardhe bilè e faqe bardhe fort duel edhe Mark Mhilli, masi mas te tânë atyne vuejtjeve të sprovueme mbi shpatulla të veta nuk e çili zânin e gojës me tregue vend’strehimin e koçakve por bilè vazhdoj edhe me nji dishir’ mâ të madhe luften e vet bashkë me miqt e dashamir’t vet kunder rregjimit mizor.
Leke Vojvoda i Pepsumajve njiher te shpija e vet tek po kuvendoshim per Pepsumajt e per Mollen tuj kjâ lot per faqe prej permallimit m’thâ:
“ e more djali i Nojs ty t’ruejt Zoti fort si ke qefet me e dite historine e gjyshit tand e te para’ardhs’ve tu; kur kam ken koçak neper bjeshk’t tueja shpesh bollë m’ka pâ mbrojte Marku e bilè shpesh herë m’ka prue bukë me hanger e ka ndej me mue me me kalue merzine, e aj vetë ish mâ keq se un, se aj e kish provue burgun ”.
E kish rândë komunizimin se kish ndìe se jâne gjindje e pâ fé, dhe ky per vetë ish shum’ fetar por në të njâjtën kohë edhe shum’ praktikant. Pader Ambrozi paste dritë duhet me i thâne tash se kâ dèk’ edhe aj m’ ka tregue shpesh hèr’ episode të ndryshme të jetës së Markut në gerbet, e nji nder episodet nòshta mâ t’búkur e mâ qesharak per sa i perket besimit qe kish Marku po e shkruaj edhe un’ n’k’të artikull shum’ modest per te :
“ Marku ishte me të vertet fetar, shum’ i devotshëm dinte shum’ urate ne shqip e latinisht por ishte besimtar analfabet si tre çerek’t e t’dukagjinasve, shkonte gati per çdo masdite dhe per çdo dite të dielle e t’kreme në kishë për me marre pjesë në meshë, nji t’dielle në kishën St. George në Bruksel pâu tuj ndâ kungimin nji murgeshë dhe me’t’ vërtet’ ju zbeh çerja e ftyr’s, i erdh shum’ keq, fill sa dola un’ prej kishet mu drejtue: Ambroz moré búrr si ka munsi me e ndâ kungimin gratë, mue m’erdh per me qesh, jo per me qesh e gjâ por kam dèk’ gazit, por mrapa i spjegova se si âsht doktrina teologjike e kishës për sa i perket Korpit të Krishtit por prap se prap su bindte se ish msue me pâ në Dukagjin veç freten tuj çue meshë e tuj ndâ kungimi e jo grá d.m.th n’k’te rasë murgesha”.
Pjeter Kaceli i nipi i Markut kur e kam pvetë per Markun si besimtar m’kâ thânë:
“ kâ kênë fetar i madh dhe kâ shkue në kishë shpesh edhe te shpija kish qeft shum’ me thânë rruxaren” nder të tjera më kallxoj nji histori të vogël qi e kish ndié vetë prej gojës së Gjelosh Lushit të Pepsumajve.
Gjeloshi i kish pâ thânë Markut: “kur t’fitojnë komunizmi s’t’lânë me thâne uratë e as me bâ kryq mâ, Marku i kish pergjegj: po more Gjelosh Kur t’bìe me fjet, bilè at´her a mun’ m’nalin me bâ Kryq?
Masi kâ dale koçak, âsht ndjekë rreptsisht prej sigurimit të shtetit per me e pushkatue por kâne kêne pik’risht miqt e dashamir’t e tij si e kâne strehue per dò kòh’ edhe mir’ neper shpijat e tyne , disa prej tyne jane: Mhill Kola i Molls, Kole Cani i Dushmanit, vllaznit Zef e Jak Marku kushritë e tij, Zef Noja i Gurit Lek’s, Lulash Bala i Palajvet, daja i vet Kol Lulashi i Dushmanit e tjere e tjere. Kishin hall me e arrestue per herë të dyte se kishin inât’ se Marku si kish kallxue ât’ cka lypshin komunistat me ditë.
Masi Marku duel prej burgut foli me t’kushrinin e vet Ndue Kolen edhe aj kundërshtar i flak’t i ideologjise djallzore komuniste per me u arratise s’bashkut ,por Noja per fat të keq kish veç nânen e tij gjallë dhe ajo ish’ e moshueme e shum’ e smure dhe dashtunija e birit per nânen fitoj mì dashtuninë e jetës personale k’shtu qe në 1946 Marku u nis per ne Jogusllavi e Noja ndeu nw shpi tw vet e i sherbeu s’amws deri në të sosun të ditve të saja, por mas do koh’sh po ashtu si ishte e parashikueme râ nw kthetrat e komunistave, ne 1950 u burgos e diq ne burgjet e tyne si kriminel e rraksionar i pushtetit komunist.
Marku kjè nder t’par’t dukagjinas që s’bashkut me Pashko Pjetrushin dhe Mirash Nduen e Thethit per motive politike u arratisen e duel ne Jugosllavi. Sa duel ne tokat e Titos bâni nji vjet burg në burgjet e UDB se.
Në 1946 u njoften me Dede Pjeter Volen e Dushmanit në Jogusllavi edhe ky kundërshtar numer NJI i sistemit enverhoxhjan.
U arratis prej Jogusllavijet e kerkoj strehim politik në shtetin fqinjë Italian, xúni vend ne Firence ku edhe qendroj per disa vjet deri sa muer edhe nânshtet’sinë italiane (pashaporten e tij origjinale italiane e kane familjar’t e vet qe e ruejne me shum’ nostalgji e kujtime) e njaty ka fillimi i vjetit 1954 shkoj ne Belgjike ku edhe i mbydhi edhe ditet e fundit të jetës së tij.
Në gerbet Marku bashkë me pader Daniel Gjecaj, Ate Ambroz Martini, Dede Pjeter Volaj kjèn nder themeluesat kryesor të “Komuniteti i Diaspor’s Jashte Atdheut per Clirimin e Shqipnise”
(kete fakt ma kâ tregue Pjeter Gera bâsh i nipi i Dedë Pjeter Voles dhe ma kâ konfirmue edhe vetë Pader Ambroz Martini).
N’dhè t’huej kryesisht u shoqnue me dukagjinas të arratisun per motive politike si puna e tij, ndèr ta miqt mâ të ngushtë kjèn:
At’ Ambroz Martini Shalnjânë , Pashko Pjetrushi Thethnjâne, Mirash Ndoja, Pjeter Kushi Prekaluer, Gjelosh Ukshini Thethnjâne, Dede Volaj Dushmans, Ate Daniel Gjecaj Shâlnjânë , ,Muharrem Bajraktari, Prenk Previzi i Kurbin’s, Martin Camaj i Te L’ums, Mons Dejardin Belg, Ndue Mirash Ulaj Shoshnjâne, Marash Bala shoshnjâne, Bub Matoshi, Gjo Bala te Salcnjor te dy, Lazer Pali i Sumjane.
Nd’rroj jetë ne kryegjytetin e bashkimit evropjan Bruksel me dt 21 .V. 1977.
Dukagjinasit që ndodheshin ne Bruksel asò kòhe i bânen gjâmen mâ burrnore si mujshin me i’a bâ nji njerit per faktin se Marku ish i dashtun, i beses, e i burrnise me të gjithë.
K’tu po paraqes edhe dy dokumenta autentik të bamuna në formë ftese-lajmrimi per dèken e e tij, ftesa e parë âsht per Ipeshkvin e Brukselit qe e donte Markun jasht’zakonisht shum’ dhe ftesa e dyte âsht per te tânë shqyptar’t e Brukselit:
Reverend Mons Dejardin
Me njisitë ma te kthelltat të falenderimit e te mirnjoftjes për shka ju keni ba për SHQYPTARËT,në Belgjikë – e sidomos me Pepsumaj Mark, - ju grishim të merini pjese në meshën e dritës, në kishën ST.SERVAIS, të hanen n’oren 11. Gjithashtu në drekë, fill mbas vorrimit; e cilla shtrohet në ket adresë: 13 Rof Henri Berge, Bruxelles.
Pjeter Kushi e Marash Bala.
U baj me dijtë vllazenvet Shqyptarë, se: Pepsumaj Mark ka dekë.
Të hanen që vjen, prandej, datë 23 Maj, ora 11, thohet Mesha Shejte për shpirtin e tijë; në Kishen e Saint-Servais, e cilla gjindet në Chaussèe de Haecht- 1030 Bruxelles.
Fillë mbas meshet, pércillet kufoma për t’u pushue në vorret e Schaerbeek-ut.N’oborrin e kishës jane mmjetet e gatshme për të kollajsue ulltimin.Si të jenë vorrue kufoma, - ju lutem-; me ardhë të gjith, në “Kafen Shqyptare”, 82, rue Kessels; sa me ndejë pak sebashkut; simbas zakonevet të malevet t’ona që, - në kso rasash-, jeta në dhé të huejë i ban edhe ma të përmallshme.
Pjeter Kushi – i Pepsumaj.
E ne fund të k’tij artikulli po paraqes edhe të vetmen poezi qi pader Ambroz Martini kâ shkrue n’jetën e vet e pik’risht kët poezi ja ka kushtue shokut e mikut të tij të dashtun Mark Mhillit Pepsumaj. Kjo asht poezia qe pader Ambroz Martini e shkrou pikerisht per kete gjigand të histrorise se Dukagjinit:
Letë të kjoftë mbi vorr ledina,
Butë t’kjoshin moti e stina,
Ak’lli bora e serotina.
E prej Zotit kjoftë kênë thanë,
Na ktû shum, Mark, mos me të lânë,
Por me të bajtë, me t’çue n’vend t’anë:
N’ato malet titanike,
Kû banon rraca fisnike,
Që përban Shqypnin’Etnike.
Përmbi kry’ka me t’valvitë
N’vorre t’ “Fisit”, Mark, nji ditë
Bash n’jatë token, kû je rritë:
Kuq e Zi Flamur’ i të parvet,
Që perherë n’ tok’n e Shqyptarvet,
Ka nderue dek’n e ushtarvet.
Dukagjini ka me të kja,
E mbarë Shoshi, që t’ pat vlla,
Kush t’ka njoftë, e kush t’ ka pa.
Për njat “Besë”, që kurr nuk preve,
Për trimni, që sa herë kreve;
Kanë me ndi’i brêznitë e reja,
Si qindrohet, kurë njerzt “Feja”
I forcon, me fuqi t’reja.
Ka me xânë Rrac’e Shqyptarit,
Si s’koritet troll’i t’parit,
As po ra n’dor’n e barbarit.
N’shembull t’and, Mark, kanë me msue,
Pares s’huejë mos me i lakmue,
N’mulli t’huejë ujë mos me çue.
Prandej Mark, kjo deka jote,
Larg Atdheut tridhetë motmote,
Kurrsesi s’ka me shkue kote.
Njatë qindresë, që ke trgue,
Kurr Shqypar’t s’kanë m’e harrue
E dijnë të gjith se n’dhe t’gerbetit,
S’i sherbeve kurrnji shtetit,
Si kanë bâ njifarë “miletit”…!
Pate ndrý n’zêmren çelike,
Njat’ burrni t’rracës fisnike,
Per me ruejtë Shqypninë Etnike.
Amanet mos me u merzitë,
Për njatë kohë, që ke me pritë,
Me t’çue n’vendin, kû je rritë.
Oh sa hall, oh vaj medet!
Me pritë njeri n’nji vorr shkret,
Larg Atdheut, larg vendit t’vet.
Ban gajret, si bane motit,
Se dikurë, me ndimë të Zotit:
Kthejmë nder troje t’Kastriotit.
N’vorre t’ "Fisit" je mâ mirë,
Si gjithmonë pate dishir,
Kurë t’a bajmë Shqypninë e lirë.
Atje n’Mollë ke me pushue
Tash pushon n’vorre t’Bajrakut,
Kû për së gjallit s’mujte, spakut,
Me i kja t’utë, veç se për së largut.
Bjeshk’t e Mollës Ty të bajnë kunorë
Brêz mbas Brêzit për çdo korë
Si n’pranverë, si kur bjen borë.
Shum e motra tash bertet,
Tujë vajtu mbi vllazen t’vet,
E për Ty, dekun n’gerbet
Por kurë të çojmë, Marka, n’Shqypni
E ndienë vedin si n’rini:
Nên Flamurin Kuq e Zi.
Kurr nji grimë mos bajë idhnim,
Se ksaj toke, të lamë dorzim
Dersa t’vinë dita për Kthim.
Ne fund te ktij shkrimi po e mbylli me fjalt e fundit që pader Ambrozi i shkruen ne fundin e poezise se tij.
V.O Kjo Poezi dalë prejë Zêmret, u lexue publikisht në Vorret e Bruxelles, ndersa Famullitari,
At Ambroz Martini OFM po shtite në dhê Heroin Katolik,“Mark Mhillin e Mollës”
Bruxelles 23. 5. 1977 H.13
Nessun commento:
Posta un commento